Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, do të organizojë një aktivitet sensibilizues me rastin e Ditës Botërore kundër Duhanit.
Aktiviteti do të mbahet më 29 maj 2026, duke filluar nga ora 13:00, në Sheshin “Italia” në Pejë.
Në kuadër të këtij organizimi do të prezantohet edhe një ekspozitë artistike me punime të përzgjedhura të nxënësve, me mesazhe vetëdijesuese kundër përdorimit të duhanit.
Përmes sloganit “Thuaj JO duhanit dhe PO një jete më të shëndetshme”, organizatorët synojnë të përcjellin mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht tek të rinjtë.
Ky aktivitet vjen si pjesë e angazhimeve për promovimin e jetës së shëndetshme dhe luftimin e dukurive që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve.




