Ballina > Bota > WSJ: Drejtori i CIA-s shkoi në Moskë për ta paralajmëruar Putinin që të mos sulmojë vendet e NATO-s

WSJ: Drejtori i CIA-s shkoi në Moskë për ta paralajmëruar Putinin që të mos sulmojë vendet e NATO-s

27 Aug 2026 Bota

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, këtë javë ka qëndruar në Moskë, ku ka paralajmëruar zyrtarët rusë që të mos përshkallëzojnë konfliktin me aleatët amerikanë në NATO, veçanërisht me Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, si reagim ndaj ngecjes së pushtimit rus në Ukrainë, shkruan Wall Street Journal.

Sipas gazetës amerikane, kreu i shërbimit amerikan të inteligjencës e ka shfrytëzuar këtë vizitë të rrallë dhe të pa paralajmëruar në kryeqytetin rus, të zhvilluar të martën, edhe për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të zvogëlojë mbështetjen ushtarake dhe ekonomike për Iranin.

Lajmi për udhëtimin e Ratcliffe në Rusi, të cilin administrata amerikane nuk e kishte konfirmuar zyrtarisht deri në mëngjesin e sotëm, ka nxitur spekulime të shumta në Uashington dhe në Evropë, pasi kjo ishte vizita e parë e njohur e një drejtori të CIA-s në Moskë që kur presidenti Donald Trump mori detyrën.

Në fund të vitit 2021, ish-drejtori i CIA-s, Bill Burns, e kishte paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin që të mos niste pushtimin e Ukrainës.

Megjithatë, Rusia e nisi pushtimin tre muaj më vonë, luftë e cila vazhdon edhe sot.

Vizita e Ratcliffe vjen në një kohë kur Rusia dhe Ukraina po shkëmbejnë sulme gjithnjë e më intensive me dronë dhe raketa, larg vijave të frontit.

Po ashtu, Rusia javët e fundit ka lëshuar një sërë kërcënimesh ndaj vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën, duke nxitur frikën se Moska mund të ndërmarrë forma të reja të luftës hibride ose veprime të kufizuara ushtarake kundër vendeve anëtare të aleancës, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.

Lini një përgjigje