Greqia është tronditur nga një seri sulmesh me mjete ndezëse ndaj politikanëve të partisë në pushtet Demokracia e Re, ku një grua ka humbur jetën, ndërsa vajza e saj, një politikane, ka mbetur e lënduar.
Sipas autoriteteve greke, sulmet ndodhën në orët e para të mëngjesit, kur para tri ndërtesave ku banojnë anëtarë të partisë qeverisëse u vendosën mjete shpërthyese ndezëse.
Si pasojë e shpërthimeve dhe zjarrit që pasoi, pesë persona u lënduan dhe u dërguan për trajtim në spital. Më vonë u konfirmua se nëna e një prej politikaneve nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa vetë politikania mbeti e lënduar.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të sulmeve dhe identifikimin e autorëve, ndërsa masat e sigurisë janë shtuar në zonat ku banojnë zyrtarët shtetërorë.





