Të paktën dy persona humbën jetën dhe 34 të tjerë u lënduan nga një zjarr i madh që shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një spital në qytetin Ludwigslust, në veri të Gjermanisë.
Sipas revistës gjermane Focus, flakët përfshinë çatinë e spitalit, ndërsa autoritetet nisën menjëherë evakuimin e pacientëve dhe stafit mjekësor. Situata në vendngjarje u përshkrua si jashtëzakonisht dramatike.
Pacientët u evakuuan me karroca invalidësh ose direkt në shtretërit e spitalit dhe u vendosën përkohësisht në trotuar dhe në hapësirat e gjelbra përpara objektit.
Informacionet e para tregojnë se zjarri ka shpërthyer në një nga dhomat e pacientëve, për t’u përhapur më pas me shpejtësi në pjesë të tjera të ndërtesës. Shërbimet emergjente morën njoftimin për zjarrin në orën 04:28 të mëngjesit.
Spitali ka një kapacitet prej 160 shtretërish, ndërsa në momentin e shpërthimit të zjarrit ndodheshin 82 pacientë të shtruar.
Zëdhënësja e distriktit Ludwigslust-Parchim konfirmoi për mediat se dy personat që humbën jetën ishin pacientë të këtij spitali.
Pamjet nga vendi i ngjarjes janë tronditëse. Shumë pacientë shihen të ulur në lëndinë të mbështjellë me batanije termike shpëtimi, ndërsa personeli mjekësor u ofron ndihmën e parë.
Disa pacientë që ishin në gjendje të ecnin dolën vetë nga ndërtesa, ndërsa të tjerë u ulën në stolat përpara spitalit, shumë prej tyre me peshqirë të hedhur mbi supe. I gjithë kompleksi ishte i mbuluar nga një re e dendur tymi.
Në vendngjarje janë angazhuar një numër i madh zjarrfikësish dhe ekipesh të shpëtimit, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve të shmangin zonën, për t’u lehtësuar qasjen automjeteve të emergjencës.





