Ballina > Rajoni > Skandal në misionin e Kroacisë pranë OKB-së: dyshohet se një punonjëse ka vjedhur 750.000 dollarë.

Skandal në misionin e Kroacisë pranë OKB-së: dyshohet se një punonjëse ka vjedhur 750.000 dollarë.

04 Apr 2026 Rajoni

Në Nju Jork është arrestuar Renata Supina-Saltus, një punonjëse në përfaqësinë e Kroacisë pranë Kombeve të Bashkuara, nën dyshimin se gjatë disa viteve të fundit ka vjedhur rreth 750 mijë dollarë.

Sipas njoftimeve të autoriteteve gjyqësore amerikane, të cilat citohen nga mediat në Kroaci, Supina-Saltus dyshohet se nga korriku 2017 deri në nëntor 2023, duke përdorur autorizimet dhe qasjen në llogaritë bankare, ka kryer pagesa të paligjshme drejt llogarive të saj në një bankë në SHBA, duke përfituar rreth 750 mijë dollarë amerikanë.

Ajo kishte qasje në këto llogari pasi ishte e punësuar në departamentin financiar-administrativ të përfaqësisë së Kroacisë pranë OKB-së.

Dyshohet se në disa raste ka kryer pagesa të dyfishta për të njëjtat fatura: një shumë i paguhej furnizuesit real, ndërsa tjetra transferohej në llogarinë e saj. Në raste të tjera, ajo ka krijuar fatura të rreme, përfshirë edhe nga furnizues fiktivë, duke i kanalizuar fondet në llogari që i kontrollonte vetë.

Supina-Saltus është arrestuar dhe është paraqitur dje para gjykatës në Connecticut. Autoritetet amerikane e akuzojnë për një vepër penale të mashtrimit përmes komunikimeve elektronike dhe dy vepra penale të pastrimit të parave.

Procedura është nisur në bashkëpunim me USKOK-un kroat, i cili më herët ka kryer hetime mbi bazën e informacioneve nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë dhe më pas i ka dërguar të dhënat tek autoritetet amerikane.

Lini një përgjigje