Sipas raportimit të N1, duke iu referuar burimeve diplomatike, ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, ishte paraparë të nisej mëngjesin e sotëm nga Roma, por fluturimi i tij u anulua në momentin e fundit, pak para nisjes.
Burimet bëjnë të ditur se një situatë e tillë është mjaft e pazakontë për vizita të planifikuara paraprakisht, sidomos duke pasur parasysh se protokolli i Serbisë, i cili duhej të organizonte pritjen, tashmë ndodhej në aeroportin “Nikola Tesla”.
Deri më tani nuk dihet arsyeja e saktë e anulimit të kësaj vizite në mënyrë të pazakontë nga ministri italian.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, thuhet se takimi i paralajmëruar mes tij dhe Antonio Tajani, i cili ishte planifikuar të mbahej sot (1 prill 2026), është shtyrë, ndërsa një datë e re do të bëhet e ditur më vonë.





