Shoqata Bjeshkatare “Gjeravica” ka realizuar me sukses një aktivitet dyditor të ecjes malore dhe kampingut në Vuthaj të Gucisë, më 11 dhe 12 korrik, duke mbledhur adhurues të natyrës dhe alpinizmit në një prej zonave më të bukura të Alpeve.
Aktiviteti nisi në ditën e parë me mbërritjen në Luginën e Grebajës, prej nga pjesëmarrësit u ngjitën me sukses në tri maja: Vajusha, Taljanka dhe Popadija. Pas përfundimit të itinerarit, grupi u vendos në Vuthaj, ku ngriti kampin dhe kaloi mbrëmjen në natyrë.
Në ditën e dytë, ecja vazhdoi nga Vuthajt drejt Thethit, përgjatë një prej segmenteve më të njohura të shtegut ndërkombëtar Peaks of the Balkans. Itinerari u përshkua me sukses nga të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa pjesë e aktivitetit ishin edhe katër vrapues malorë, të cilët e realizuan këtë segment duke vrapuar.
Nga Shoqata Bjeshkatare “Gjeravica” u vlerësuan bukuritë natyrore, peizazhet mbresëlënëse dhe mikpritja e banorëve të zonës, të cilat e shndërruan këtë aktivitet në një përvojë të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.
Në fund, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që kontribuan në realizimin me sukses të aktivitetit, duke paralajmëruar organizime dhe aventura të reja në të ardhmen.




