Ballina > Vendi > Në Qendrën e Paraburgimit në Pejë promovohet murali “Ngjyrat e dinjitetit”

Në Qendrën e Paraburgimit në Pejë promovohet murali “Ngjyrat e dinjitetit”

15 Jul 2026 Vendi

Në Qendrën e Paraburgimit në Pejë është promovuar murali “Ngjyrat e dinjitetit”, një vepër artistike që synon të përcjellë mesazhe të shpresës, dinjitetit, rehabilitimit dhe fuqisë transformuese të artit.

Murali është realizuar në bashkëpunim mes Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Zyrës për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës dhe komunitetit artistik. Në krijimin e kësaj vepre kanë kontribuar edhe dy persona të paraburgosur, të cilët kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në procesin artistik.

Në ceremoninë e promovimit morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, si dhe përfaqësues të institucioneve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Të pranishmit u mirëpritën nga ushtruesja e detyrës së zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në SHKK, Trëndelina Qorraj, dhe drejtoresha e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Ardita Osaj-Blakaj.

Gjatë ceremonisë, Trëndelina Qorraj ndau mirënjohje për të gjithë kontribuuesit e realizimit të muralit, duke vlerësuar angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë projekt.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktivitete të tilla janë pjesë e përpjekjeve për të promovuar rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria përmes artit dhe angazhimeve pozitive.

Murali “Ngjyrat e dinjitetit” synon të jetë një simbol i reflektimit, ndryshimit dhe besimit në mundësinë e transformimit përmes krijimtarisë dhe përfshirjes sociale.

Lini një përgjigje