Ballina > Vendi > Rruga Junik–Gjeravicë drejt përfundimit, investimi prej 4.8 milionë eurosh

Rruga Junik–Gjeravicë drejt përfundimit, investimi prej 4.8 milionë eurosh

09 Jul 2026 Vendi

Punimet në rrugën Junik–Gjeravicë po i afrohen përfundimit, në kuadër të një investimi prej mbi 4.8 milionë eurosh, të financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Sipas njoftimit, projekti po realizohet në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe Komunës së Junikut.

Gjatë zbatimit të punimeve janë paraqitur disa çështje pronësore, të cilat tashmë janë zgjidhur, duke i hapur rrugë vazhdimit të punimeve deri në përfundimin e plotë të projektit.

Rruga, me gjatësi prej 18 kilometrash, do të mundësojë qasje më të shpejtë dhe më të sigurt drejt Gjeravicës, majës më të lartë të Republikës së Kosovës. Sipas autoriteteve, ky investim pritet të përmirësojë lidhjen me një nga destinacionet më të rëndësishme malore të vendit, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit, ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për banorët e zonës.

Nga institucionet u theksua se investimet në infrastrukturën e zonave malore janë ndër prioritetet e Qeverisë, me synim përmirësimin e qasjes, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimin e potencialit turistik të Kosovës.

Lini një përgjigje