Reprezentuesi spanjoll Rodri Hernández, sipas raportimit të së përditshmes spanjolle Marca, do ta vazhdojë karrierën te Barcelona, pavarësisht se prej vitesh kishte ëndërruar të vishte fanellën e Real Madridit.
Mesfushori këtë verë ka vendosur të pranojë ofertën e klubit katalanas, duke bërë një lëvizje që deri vonë dukej pothuajse e paimagjinueshme. Kontakti i parë me Real Madridin daton që nga viti 2019, kur Rodri luante te Atlético Madrid, por në atë kohë madrilenët kishin prioritet Toni Kroosin, Luka Modrićin dhe Casemiron.
Pas transferimit te Manchester City, Rodri nën drejtimin e Pep Guardiolës u shndërrua në një prej mesfushorëve më të mirë në botë dhe fitoi një sërë trofesh.
Kur hyri në vitin e fundit të kontratës me Cityn, Real Madridi riktheu interesimin për të, por drejtuesit e klubit thuhet se nuk ishin plotësisht të bindur se Rodri ishte profili i lojtarit që kërkonin për mesfushën e tyre. Nga Madridi madje ishin dëgjuar vlerësime se spanjolli “e ngadalëson shumë posedimin e topit”.
Barcelona, në të kundërt, veproi shumë më vendosmërisht. Të udhëhequr nga Joan Laporta, Deco dhe Hansi Flick, katalanasit i ofruan Rodrit një rol qendror në ekip dhe një projekt që përputhet me stilin e tij të lojës dhe me atë që ai demonstron në përfaqësuesen e Spanjës.
Edhe pse kushtet financiare të ofruara nga të dy klubet ishin pothuajse identike, sipas Marca-s, vendimtare ishin vizioni i qartë i Barcelonës dhe respekti që klubi i tregoi mesfushorit me përvojë.
Rodri thuhet se ka vlerësuar se, në moshën 30-vjeçare, nuk dëshiron të hyjë në një projekt të pasigurt në Madrid, ku nuk e kishte ndjesinë se e shihnin si lojtar kyç.
Për këtë arsye, ai personalisht ka kontaktuar drejtorin e përgjithshëm të Real Madridit, José Ángel Sánchez, e ka falënderuar për ofertën dhe e ka njoftuar se ka vendosur të pranojë ofertën e Barcelonës.
Manchester City vetëm pas ofertës së pestë ka pranuar ta shesë një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm.
Ironia qëndron në faktin se Rodri prej vitesh kishte refuzuar rinovimin e kontratës në Angli, duke pritur një ofertë nga Santiago Bernabéu. Kur kjo ofertë më në fund erdhi, Real Madridi nuk ishte mjaftueshëm vendimtar, ndërsa Barcelona i ofroi një projekt ku mesfushori spanjoll do të kishte një rol shumë më të qartë.





