Ballina > Sport > Përfundon me sukses “Peja Open 2026” në grupmoshën U14, morën pjesë tenistë nga 16 shtete

Përfundon me sukses “Peja Open 2026” në grupmoshën U14, morën pjesë tenistë nga 16 shtete

15 Aug 2026 Sport

Ka përfunduar me sukses turneu evropian i tenisit “Peja Open 2026”, i organizuar për grupmoshën U14 në kompleksin sportiv “Arben Zeka” në Brestovik të Pejës.

Në këtë turne morën pjesë dhjetëra tenistë të rinj nga 16 shtete evropiane, duke sjellë në fushat e tenisit në Pejë një garë me nivel të lartë dhe ndeshje mjaft interesante.

Në garat e zhvilluara gjatë turneut dominuan kryesisht tenistët e huaj, ndërsa garuesit vendorë patën paraqitje të denjë në përballje me kundërshtarë nga vende të ndryshme të Evropës.

Ndër tenistet vendore më të suksesshme u veçuan Hana Veseli dhe Anesa Ismajli, të cilat zhvilluan një ndeshje dramatike ndaj çiftit nga Bosnja dhe Hercegovina. Dyshja kosovare, megjithatë, nuk arriti ta sigurojë fitoren, duke e përfunduar garën pas kësaj përballjeje.

“Peja Open 2026” shërbeu edhe si një mundësi e rëndësishme për talentet e rinj që të fitojnë përvojë ndërkombëtare dhe të matin nivelin e tyre me tenistë nga vende të ndryshme evropiane.

Turneu U14 ishte vetëm fillimi i një serie garash ndërkombëtare të tenisit që po zhvillohen në Pejë. Pas tij, në qytet do të zhvillohen edhe dy turne ndërkombëtarë të kategorisë World Tennis J30 “Peja Open”, të cilët do të mbledhin në Kosovë garues të rinj nga vende të ndryshme.

Me organizimin e këtyre turneve, Peja po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga qendrat e rëndësishme të tenisit në vend dhe si destinacion për gara ndërkombëtare të sportit të bardhë.

Lini një përgjigje