Ballina > Bota > Roberto Carlos mohon se ka kaluar në Islam: “Ende nuk jam, por po mësoj për Islamin”

Roberto Carlos mohon se ka kaluar në Islam: “Ende nuk jam, por po mësoj për Islamin”

20 Aug 2026 Bota

Legjendari brazilian Roberto Carlos ka komentuar në një intervistë ekskluzive zërat se ai ka kaluar në Islam.

Bashkëshortja e ish-mbrojtësit të famshëm, Suhaila Al-Tahiri, është myslimane, për çka dje u përhap me shpejtësi lajmi se edhe Carlos kishte kaluar në Islam.

Megjithatë, Carlos i ka mohuar këto informacione, duke theksuar se ka respekt të madh për myslimanët, por se ende nuk ka kaluar në Islam.

“Jo, ende nuk kam kaluar, por po mësoj pak nga pak dhe di shumë për Islamin, për atë se çfarë do të thotë të jesh mysliman. Unë i përkas një feje tjetër dhe është folur shumë për këtë çështje, për faktin se jam mysliman. Megjithatë, kjo ende nuk është e vërtetë. Duhet të prisni. Nëse ndodh diçka, por kjo ende nuk është e vërtetë, unë do të jap një intervistë dhe do ta them”, tha Carlos.

Edhe bashkëshortja e tij reagoi, duke thënë se dëshiron t’u tregojë njerëzve se çfarë është në të vërtetë Islami dhe se Islami është një fe e mirë.

“Unë, si marokene… Jam marokene dhe feja ime është Islami. Më pëlqen që njerëzve përreth meje t’ua tregoj dhe t’ua mësoj fenë time. Falë Zotit, jam myslimane dhe dua t’i tregoj grupit që është me mua se çfarë do të thotë feja jonë. Në botën ku jetojmë sot, me të gjitha këto luftëra dhe probleme mes shteteve, unë u shpjegoj atyre se Islami është një fe e mirë dhe se ne nuk jemi ashtu siç paraqitemi në rrjetet sociale”, tha ajo.

Ajo shtoi se Roberto Carlos di shumë për Islamin, pasi ka punuar dhe luajtur futboll edhe në vende me shumicë myslimane.

53-vjeçari gjatë karrierës së tij ka luajtur për Interin, Real Madridin, Fenerbahçen, Corinthians, Anzhin, si dhe Delhi-n në Indi, ku e përfundoi karrierën si futbollist, përveç disa klubeve braziliane.

Si trajner, ai ka punuar te Anzhi, Sivasspor, Akhisarspor dhe Delhi në Indi, ku gjithashtu e përfundoi karrierën e tij profesionale në futboll.

Lini një përgjigje