Në një reagim në rrjetin social X, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan po e përfshin Turqinë në “aventura të rrezikshme” në Siri.
“Izraeli nuk do të lejojë askënd të rrezikojë sigurinë e tij”, deklaroi Katz.
Ai tha se veprimet e Turqisë po vënë në provë vendosmërinë e Izraelit për të ndërhyrë.
“Është më mirë që Erdoğan të vazhdojë të mbajë fjalime boshe dhe të çmendura kundër Izraelit në parlamentin turk, sesa të vërë në provë vendosmërinë e Izraelit për t’u mbrojtur”, tha ai.
Të martën në mëngjes, Izraeli sulmoi një bazë ajrore në veriperëndim të Sirisë, duke thënë se objektivi ishte parandalimi i vendosjes së trupave turke në atë lokacion.
Tetë sulme ajrore goditën pistën e bazës ajrore Abu Duhur, në provincën Idlib, duke shkaktuar dëme, por pa viktima.
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, deklaroi në Damask se Siria dënon agresionin izraelit, duke e cilësuar sulmin si një provokim të pajustifikuar, shkelje të sovranitetit sirian dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal dhe global.
Ndërkohë, Turqia i ka hedhur poshtë pretendimet izraelite për një plan për vendosjen e trupave turke në bazën Abu Duhur, duke i cilësuar ato si të pabazuara.





