Francis Clifford Smith, burgosuri me qëndrimin më të gjatë në burg në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vdekur në qershor në moshën 101-vjeçare, pasi kaloi më shumë se shtatë dekada pas hekurave për një vrasje që deri në fund të jetës pretendoi se nuk e kishte kryer.
Smithit iu përgatit “vakti i fundit” në tetë raste, para ekzekutimeve të planifikuara, por ekzekutimi i dënimit me vdekje u shty çdo herë. Në vitin 1954, dënimi me vdekje iu ndryshua përfundimisht në burgim të përjetshëm.
Në fund të jetës, ai u transferua në një institucion të specializuar për të moshuarit që vijnë nga sistemi i drejtësisë, ku vdiq nga shkaqe natyrore, raportoi BBC.
Dënimi i dyshimtë dhe rrëfimi i fajtorëve të vërtetë
Smith u arrestua në vitin 1949, nën akuzën se, në moshën 25-vjeçare, kishte vrarë një roje nate në një klub jahtesh në shtetin Connecticut. Ai u shpall fajtor bazuar në dëshminë e një të dyshuari tjetër, i cili kishte pranuar një marrëveshje me prokurorinë për të reduktuar dënimin e tij.
Megjithatë, vite pas dënimit, dëshmitarët kryesorë tërhoqën dëshmitë e tyre, ndërsa një tjetër i burgosur pranoi se kishte kryer vrasjen. Madje, edhe inspektori i policisë që e kishte marrë në pyetje Smithin deklaroi para Bordit të Faljeve se besonte në pafajësinë e tij, duke thënë se nuk ishte i sigurt as nëse Smith kishte qenë fare në vendin e krimit.
Arratisja, Krishtlindjet në shtëpi dhe “Njeriu i zogjve”
Gjatë më shumë se 70 viteve të kaluara në burg, Smith doli përkohësisht në liri në tri raste.
Ai u arratis nga burgu në vitin 1967, por u kap pas 12 ditësh. Në prag të Krishtlindjeve të vitit 1974, iu lejua të shkonte në shtëpi, ndërsa të nesërmen u kthye vetë në burg.
Në vitin 1975, iu dha lirimi me kusht, por pas 10 muajsh u arrestua sërish për një vjedhje të vogël dhe posedim të armës.
Pas kthimit në burgun Osborn, ai u bë i preferuar si nga të burgosurit, ashtu edhe nga gardianët. Për shkak të zakonit për të nxjerrë bukë nga kuzhina e burgut dhe për t’ua dhënë zogjve në oborrin e burgut, mori nofkën “Njeriu i zogjve të Osbornit”.
Sfida e plakjes së popullsisë së burgjeve
Në vitin 2020, Smith pranoi sërish lirimin me kusht dhe më pas u vendos në institucionin 60 West në Connecticut, një nga institucionet e specializuara që ofrojnë kujdes shëndetësor për ish-të burgosur të moshuar.
Rasti i tij tërhoqi vëmendjen e publikut ndaj problemit gjithnjë e më të madh të plakjes së popullsisë së burgjeve në SHBA. Parashikohet që deri në vitin 2030, një e treta e të gjithë të burgosurve në SHBA të jenë persona mbi 50 vjeç.
Ekspertët paralajmërojnë se qëndrimi i gjatë në burg e përshpejton procesin e plakjes. Kështu, të burgosurit 60-vjeçarë shpesh kanë gjendje shëndetësore dhe probleme me demencën të ngjashme me ato të personave 90-vjeçarë.
Francis Clifford Smith vdiq në gjumë në moshën 101-vjeçare, duke i dhënë fund zyrtarisht një prej qëndrimeve më të gjata në burg në historinë e drejtësisë moderne amerikane.




