Universiteti i Prishtinës ka reaguar ndaj, siç i cilëson, lajmeve të rreme dhe tendencioze që kanë qarkulluar së fundmi në opinionin publik.
Rektori i këtij institucioni, Arben Hajrullahu, ka sqaruar se që nga dita e zgjedhjes së tij në këtë detyrë, më 7 gusht 2024, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në çdo organizatë apo institucion tjetër, duke u përkushtuar plotësisht vetëm ndaj drejtimit të universitetit.
Në reagimin e tij, ai thekson se, në mbrojtje të integritetit akademik dhe personal, si dhe të institucionit që drejton, do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj të gjitha rasteve të publikimit të informacioneve të pavërteta, të cilat, sipas tij, janë pjesë e fushatave të qëllimshme dezinformuese.
Më tej, bëhet e ditur se menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të ligjshmërisë dhe meritokracisë, me synim avancimin e institucionit dhe kontributin në zhvillimin e shoqërisë kosovare, pavarësisht sfidave dhe pengesave që mund të paraqiten gjatë rrugës.





