Anëtarja e Kuvendit Komunal të Pejës, Edonjeta Berisha, ka reaguar ashpër për gjendjen e rëndë të një segmenti rrugor në magjistralen Pejë–Prishtinë, konkretisht në fshatin Zahaq.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha ka ngritur shqetësimin për një gropë të madhe në mes të rrugës, e cila sipas saj po shkakton dëme të vazhdueshme në automjete dhe po paraqet rrezik serioz për qytetarët.
“Kjo nuk është kolonë e pritjeve kufitare, por një gropë e madhe në mes të rrugës që po shkatërron makina çdo ditë dhe çdo natë. Qytetarët po paguajnë nga xhepi i tyre për një problem që duhej të ishte zgjidhur prej kohësh!”, ka shkruar ajo.
Sipas Berishës, situata në këtë segment është alarmante dhe çdo kalim përbën rrezik për aksidente, dëme materiale dhe për jetën e njerëzve.
“A duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që dikush të reagojë?!”, ka pyetur ajo, duke e cilësuar si të papranueshme neglizhencën dhe heshtjen e institucioneve përgjegjëse.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje Ministria e Infrastrukturës dhe institucioneve të tjera kompetente që të ndërhyjnë urgjentisht për sanimin e kësaj pjese të rrugës.
“Qytetarët meritojnë rrugë të sigurta, jo rreziqe në çdo kilometër!”, përfundon reagimi i saj.




