Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë ka zhvilluar një projekt informues në disa shkolla të mesme në komunat Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik.
Gjatë një periudhe dyjavore, zyrtarët policorë kanë mbajtur ligjërata me temën “Rregullat dhe rreziqet e mundshme për pjesëmarrësit në komunikacion”, duke u bazuar në Ligjin për kundërvajtje, Ligjin për patentë shoferë dhe Ligjin për rregullat në komunikacion rrugor.
Ky projekt është mirëpritur nga nxënësit pjesëmarrës, si dhe nga stafi i shkollave dhe drejtoritë komunale të arsimit, të cilët kanë vlerësuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve për sigurinë në trafik.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj në aktivitete të tilla, me qëllim ruajtjen e sigurisë së fëmijëve dhe parandalimin e dukurive negative në komunikacion.





