Ballina > Vendi > Përurohet lapidari memorial në “Rrasën e Zogut” në Junik, nderohet sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së

Përurohet lapidari memorial në “Rrasën e Zogut” në Junik, nderohet sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së

17 Jul 2026 Vendi

Në Bjeshkët e Junikut është përuruar lapidari memorial në vendin e njohur si “Rrasa e Zogut”, në një ceremoni solemne kushtuar kujtimit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së tyre gjatë luftës për liri.

Ky monument u ngrit si shenjë përkujtimi për ngjarjen e 17 korrikut të vitit 1998, kur mbi 1 mijë e 400 ushtarë të UÇK-së nga zona të ndryshme të Kosovës kaluan nëpër këtë pikë duke bartur armatim. Në mesin e tyre ishin edhe figura të njohura të luftës, përfshirë Bekim Berishën – Abejën, Bedri Shalën dhe Rasim Kiqinën.

Sipas organizatorëve, gjatë kalimit të kolonës në “Rrasën e Zogut”, forcat serbe kishin ngritur një pritë, ku u zhvillua një betejë e ashpër dhe e pabarabartë. Në këtë përballje pati të rënë dhe të plagosur, ndërsa banorët dhe luftëtarët nga Juniku, duke e njohur terrenin, ndihmuan në nxjerrjen e të plagosurve dhe tërheqjen e trupave të dëshmorëve.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve, shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij monumenti në ruajtjen e kujtesës historike. Të pranishmëve iu drejtua edhe historiani Beqir Kiqina, i cili foli për zhvillimet dhe historikun e luftës së UÇK-së.

Përfaqësuesi i shoqatës “Shqiponjat e Arta”, Isuf Hoti, theksoi se realizimi i këtij projekti u bë i mundur falë bashkëpunimit institucional dhe vullnetit të përbashkët.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje për mbështetjen në realizimin e projektit, ndërsa momenti kryesor ishte zbulimi i pllakës memoriale.

Pllakën përkujtimore e zbuluan së bashku kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, Musli Geci – udhëheqës i autorizuar nga Shtabi i UÇK-së në Drenicë, Isuf Hoti nga shoqata “Shqiponjat e Arta”, Selmon Zogaj – përfaqësues i familjeve të dëshmorëve në Istog, përfaqësues të Agjencisë së Memorialeve të Kosovës dhe Ramadan Ademi, babai i dëshmorit Adem Ramadan Ademi.

Lapidari në “Rrasën e Zogut” do të shërbejë si vend kujtese për brezat e ardhshëm, duke përkujtuar sakrificën dhe rrugën e vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Lini një përgjigje