Komuna e Pejës ka pranuar një donacion nga KFOR-i Italian për restaurimin dhe pajisjen e një “Dhome Familjare” në Stacionin Policor të Pejës, me qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më të përshtatshëm për trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Donacioni u realizua nga ushtarët e ekipit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), të angazhuar në Komandën Rajonale Perëndim (RC-W), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë komandanti i Komandës Rajonale Perëndim të KFOR-it, kolonel Federico Mora, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, përfaqësues të Komunës së Pejës, Policisë së Kosovës, OSBE-së dhe institucioneve tjera relevante.
“Dhoma Familjare” është krijuar për të ofruar kushte më të mira për pritjen dhe intervistimin e viktimave të dhunës në familje dhe rasteve të tjera të ndjeshme, duke synuar që procesi i trajtimit të tyre të zhvillohet në një mjedis më dinjitoz dhe më miqësor.
Sipas Komunës së Pejës, ky projekt kontribuon në përmirësimin e kushteve të punës për institucionet përgjegjëse dhe në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave.
Komuna e Pejës ka shprehur mirënjohje për KFOR-in Italian për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet lokale, si dhe për angazhimin e përbashkët me Policinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në promovimin e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.




