Partia opozitare gjermane “E Majta” (Die Linke) ka akuzuar të enjten qeverinë e Kancelarit Friedrich Merz, se përmes eksportit të armëve në Izrael po nxit luftën me Iranin. Megjithë ndalimin kushtetues për eksportin e armëve në zonat e konfliktit, qeveria ka miratuar dërgesat drejt Izraelit gjatë javëve të para të luftës, gjë që konfirmohet nga të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, shkruan Anadolu.
Deputeti i “Së Majtës”, Ulrich Thoden, bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme dhe të plotë të eksporteve të armëve drejt Izraelit.
“Interesat e kompleksit ushtarako-industrial, të udhëhequra nga përfitimi, nuk i shërbejnë kurrë paqes, as në Lindjen e Mesme dhe as diku tjetër. Përkundrazi, ato nxisin luftëra që marrin jetë të panumërta dhe mund t’u kushtojnë kombeve të tëra prosperitetin e tyre ekonomik,” deklaroi Thoden.
Informacioni u bë publik nga Ministria e Ekonomisë pas një pyetjeje parlamentare nga deputeti Thoden dhe u transmetua nga Agjencia Gjermane e Lajmeve (dpa). Sipas të dhënave, në periudhën midis 28 shkurtit dhe 27 marsit, Berlini zyrtar ka miratuar eksportin e armëve në Izrael në vlerë prej 6.6 milionë eurosh (afërsisht 7.78 milionë dollarë amerikanë).
Gjermania është një aleate afatgjatë e Izraelit dhe zyrtarët qeveritarë kanë theksuar vazhdimisht se vendi ka një përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës së saj naziste.





