Ballina > Aktualitet > Nis edicioni i 6-të i festivalit të operës, Bogujevci pret Rame Lahajn e Fadil Berishën: Kosova shndërrohet në kryeqendër kulture

Nis edicioni i 6-të i festivalit të operës, Bogujevci pret Rame Lahajn e Fadil Berishën: Kosova shndërrohet në kryeqendër kulture

07 Jul 2026 Aktualitet

Edicioni i gjashtë i “Rame Lahaj International Opera Festival” (RLIOF) tashmë ka hapur siparin, duke synuar ta shndërrojë Kosovën në kryeqendrën e operës dhe kulturës përgjatë muajit korrik. Në kuadër të nisjes së këtij rrugëtimi artistik, Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të MKT-së, Bislim Bislimi, pritën në një takim zyrtar tenorin me famë botërore Rame Lahaj dhe fotografin e mirënjohur Fadil Berisha, të shoqëruar nga ekipi organizator i festivalit.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht mbi ecurinë, programin dhe risitë që edicioni i sivjetmë do të sjellë jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Kosovës. Organizatorët premtuan një kalendar të pasur artistik, i cili do të bëjë bashkë emra të rëndësishëm të skenës operistike ndërkombëtare dhe talente të reja vendase.

Ministrja Bogujevci shprehu mbështetjen e institucioneve dhe vlerësoi lart peshën që ky festival ka për imazhin e vendit.

“Rame Lahaj International Opera Festival ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky festival po dëshmon se arti është ura më e fuqishme e bashkëpunimit artistik global,” u shpreh ndër të tjera ministrja Bogujevci, duke i uruar tenorit Lahaj dhe ekipit të tij një tjetër edicion të suksesshëm.

Në ditët në vijim, festivali pritet të shpalosë koncertet e para dhe klasat master (masterclasses) për studentët e rinj të muzikës, duke konfirmuar statusin e tij si një prej ngjarjeve më prestigjoze kulturore në rajon.

Lini një përgjigje