Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot ka vizituar Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Morinë të Gjakovës, ku ka vendosur lule të freskëta në nderim të të rënëve për lirinë e vendit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Maqedonci ka lartësuar figurën dhe kontributin e dëshmorëve, duke theksuar se gjaku dhe sakrifica e tyre janë shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron sot liria dhe shtetësia e Kosovës.
“Sakrifica dhe vepra e tyre heroike janë themeli mbi të cilin është ndërtuar liria jonë dhe shteti ynë”, ka shkruar ministri Maqedonci.
Ai ka shtuar se kujtimi për dëshmorët do të mbetet i përjetshëm dhe se institucionet do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të çuar përpara amanetin e tyre për brezat që vijnë.
“Kujtimi për dëshmorët tanë do të mbetet gjithmonë i gjallë dhe përkushtimi ynë për ta ruajtur amanetin e tyre do të vazhdojë brez pas brezi”, përfundoi ai në postimin e tij.





