Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka pritur në takim Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Dardan Velija, ku temë kryesore e diskutimit ishte situata e krijuar pas zjarrit në Deponinë Rajonale të Pejës dhe masat për tejkalimin e saj.
Në takim, ku morën pjesë edhe bashkëpunëtorë nga të dy institucionet, u theksua nevoja për koordinim të ngushtë institucional për menaxhimin e situatës emergjente dhe reduktimin e ndikimeve në mjedis dhe te qytetarët.
KMDK ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje profesionale dhe teknike për kompaninë NPL “Ambienti”, si operator përgjegjës për menaxhimin e deponisë, me qëllim stabilizimin sa më të shpejtë të gjendjes.
Gjatë takimit u diskutua edhe për projektin strategjik të rehabilitimit të Deponisë Rajonale të Pejës, të cilin është duke e zhvilluar KMDK. Sipas njoftimit, deri më tani është përfunduar dizajni konceptual i projektit, ndërsa është duke vazhduar puna për hartimin e dizajnit të detajuar.
Financimi për rehabilitimin e deponisë është siguruar nga Bashkimi Evropian, Komuna e Pejës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa procedurat e prokurimit janë në zhvillim me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).
Palët kanë vlerësuar se rehabilitimi i deponisë paraqet një zgjidhje afatgjatë për eliminimin e rreziqeve mjedisore dhe krijimin e një infrastrukture moderne, në përputhje me standardet evropiane për menaxhimin e mbeturinave.
KMDK ka bërë të ditur se gjatë viteve të fundit ka zhvilluar kapacitete profesionale dhe teknike në planifikimin, projektimin dhe menaxhimin e deponive sanitare, të cilat do të vihen në funksion edhe për përballimin e situatës aktuale në Pejë.
Në fund të takimit, Muhaxheri dhe Velija janë pajtuar që bashkëpunimi ndërinstitucional të intensifikohet, me qëllim të tejkalimit sa më të shpejtë të situatës emergjente dhe realizimit të projektit të rehabilitimit të deponisë në interes të qytetarëve dhe mbrojtjes së mjedisit.




