Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka mirëpritur përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit.
Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të ndjekë nga afër garën e studentëve, të vizitojë ekspozitat e festivalit dhe të zhvillojë diskutime mbi rolin e animacionit, krijimtarisë dhe shkëmbimit kulturor në afrimin e njerëzve dhe komuniteteve.
Nga Anibar u theksua se bashkëpunimi i vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane ka qenë një mbështetje e rëndësishme ndër vite për zhvillimin e aktiviteteve dhe promovimin e artit të animacionit në Kosovë.
Në shenjë vlerësimi për këtë partneritet, festivali u nderua edhe me një Certifikatë Mirënjohjeje, e cila njeh bashkëpunimin dhe kontributin e përbashkët në promovimin e kulturës, kreativitetit dhe dialogut ndërkulturor.
Organizatorët shprehën mirënjohjen për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare në fuqizimin e industrisë kreative dhe krijimin e mundësive të reja për artistët e rinj.




