Në kuadër të aktiviteteve festive për shënimin e 50-vjetorit të themelimit, mësimdhënësit e Shkollës së Muzikës, të prirë nga drejtoresha, znj. Rreze Kastrati, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare tek Kryetari i Qytetit, z. Gazmend Muhaxheri.
Gjatë këtij takimi të përzemërt, kryetarit Muhaxheri iu dorëzua Mirënjohja Jubiliare, si shenjë respekti dhe falënderimi për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme që ai i ka ofruar këtij institucioni ndër vite. Ky vlerësim vjen si pjesë e ngjarjeve festive për të nderuar “jubileun e artë” të shkollës, e cila për gjysmë shekulli ka qenë vatër e edukimit të brezave të rinj artistikë.
Drejtoresha Kastrati dhe stafi i shkollës shprehën mirënjohjen e tyre të sinqertë për përkrahjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me komunën, duke theksuar se ky partneritet ka luajtur një rol kyç në avancimin e arsimit muzikor dhe në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.





