Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) ka mbajtur sot një takim të rëndësishëm koordinues me synim avancimin e procesit për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës për Zhvillim Rajonal Perëndim. Ky takim shënon një hap konkret drejt bashkëpunimit ndërinstitucional për të nxitur një zhvillim më të balancuar ekonomik dhe social në këtë pjesë të vendit.
Takimi u kryesua nga Zëvendësministri i Parë në detyrë i MZHR-së, z. Ali Dula, i cili po udhëheq procesin e themelimit të këtyre qendrave në nivel vendi. Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë përfaqësues të lartë të qeverisë qendrore dhe asaj lokale, ndër cilët Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Arton Konushevci, Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, Drejtori i AZHR Perëndim, z. Sokol Luta, si dhe drejtorë të drejtorive komunale e përfaqësues të tjerë institucionalë.
Gjatë punimeve të takimit, u.d. Drejtoresha e DPKZHR-së, znj. Kreshnike Arifi, shpalosi kornizën institucionale, objektivat kryesore dhe rolin specifik që do të kenë Qendrat për Zhvillim Rajonal në promovimin e politikave zhvillimore. Nga ana tjetër, znj. Shyhrete Kastrati, Drejtoreshë e DPAR-së, prezantoi hapat praktikë për zbatimin e Udhëzuesit për Identifikimin e Zonave për Investime Strategjike, si dhe rëndësinë e Studimit të Fizibilitetit për Zhvillim Socio-Ekonomik Rajonal, dokumente këto që synojnë zbulimin e potencialeve të reja dhe tërheqjen e investimeve direkte.
Në fokus të diskutimeve afatgjata ishte përcaktimi i hapave të mëtejmë për funksionalizimin e plotë të Qendrës në Rajonin e Perëndimit. Ky koordinim do të mundësojë hartimin e planeve operative rajonale, zhvillimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet komunave, si dhe mobilizimin e fondeve të nevojshme nga donatorët dhe investitorët.
Në mbyllje të takimit, të gjithë përfaqësuesit institucionalë dhe krerët komunalë shprehën gatishmërinë e plotë për të vazhduar partneritetin e ngushtë, duke e vlerësuar këtë iniciativë si një shtyllë të rëndësishme për një zhvillim rajonal të qëndrueshëm dhe me impakt direkt në jetën e qytetarëve.





