Ballina > Aktualitet > Maqedonci dekoron me Medaljen për Shërbim të Shquar atasheun amerikan A. J. Berg për kontributin në zhvillimin e FSK-së

Maqedonci dekoron me Medaljen për Shërbim të Shquar atasheun amerikan A. J. Berg për kontributin në zhvillimin e FSK-së

13 Jul 2026 Aktualitet

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ka dekoruar me Medaljen për Shërbim të Shquar kolonelin A. J. Berg, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në zhvillimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka njoftuar se dekorimi është bërë me rastin e përfundimit të mandatit të kolonelit Berg si Atashe i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.

Ai ka vlerësuar angazhimin e kolonelit amerikan në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe forcimin e partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve të mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“E falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe thellimin e partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve të mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Maqedonci.

Sipas tij, Kosova mbetet thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributin e oficerëve amerikanë në ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme.

Partneriteti i mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së konsiderohet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lini një përgjigje