Ballina > Aktualitet > BE emëron Dirk Schubelin si Përfaqësues të ri Special për Kosovën, zëvendëson Aivo Oravin

BE emëron Dirk Schubelin si Përfaqësues të ri Special për Kosovën, zëvendëson Aivo Oravin

13 Jul 2026 Aktualitet

Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si Përfaqësues të ri Special të BE-së për Kosovën, me mandat fillestar dyvjeçar, duke filluar nga 1 shtatori 2026.

Ai do ta pasojë në këtë detyrë diplomatin estonez Aivo Orav.

Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, Schübel është një diplomat me përvojë të gjatë në institucionet evropiane dhe në diplomacinë gjermane.

“Dirk Schubel është një shtetas gjerman dhe diplomat i lartë evropian me përvojë të gjerë në pozita udhëheqëse në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, Schubel shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS. Më herët ai ka qenë i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor, si dhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi dhe Moldavi.

Këshilli i BE-së bëri të ditur se mandati i tij do të fokusohet në mbështetjen e stabilitetit, demokracisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.

“Mandati i Përfaqësuesit Special fokusohet në promovimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe angazhimit të synuar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Schubel do të ketë përgjegjësi për monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe koordinimin e angazhimit politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në njoftim theksohet gjithashtu se ai do të ofrojë udhëzime politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe do të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me synim avancimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. /Telegrafi/

Lini një përgjigje