Ballina > Aktualitet > Qytetarja pretendon se u përball me presion pas publikimit të kushteve në Pediatrinë e QKUK-së

Qytetarja pretendon se u përball me presion pas publikimit të kushteve në Pediatrinë e QKUK-së

13 Jul 2026 Aktualitet

Qytetarja Aulonë Mehmeti ka reaguar publikisht, duke pretenduar se është përballur me presion pasi publikoi fotografi dhe kritika për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mehmeti tha se një natë pas publikimit të statusit të saj, rreth orës 23:30, është vizituar në dhomën ku po qëndron me djalin e saj, me qëllim që të verifikoheshin pretendimet e bëra në reagimin e saj.

Sipas saj, një vizitë e dytë ka ndodhur të nesërmen rreth orës 10:30, kur, siç pretendon, i është thënë se ato që kishte shkruar janë të pasakta dhe i është kërkuar të hartojë një raport për rastin brenda një afati të shkurtër.

Mehmeti theksoi se nuk ka refuzuar dhe nuk refuzon ta adresojë ankesën përmes rrugëve institucionale, por shtoi se prioritet i saj mbetet trajtimi i djalit, i cili ende është i shtruar në spital.

Ajo vlerësoi se fotografitë e publikuara flasin vetë për gjendjen në repart, duke përmendur dyshekë të njollosur, mungesë sapuni dhe kushte të tjera që, sipas saj, nuk përmbushin standardet bazë.

“Nuk besoj se duhet të ndihem nën presion, brenda dhomës ku po kujdesem për fëmijën tim, vetëm sepse kam ushtruar të drejtën time për të folur publikisht për atë që kam parë dhe përjetuar”, ka shkruar ajo.

Në fund të reagimit, Mehmeti apeloi për më shumë përgjegjësi ndaj sistemit publik shëndetësor, duke theksuar se qytetarët duhet ta mbështesin atë, por njëkohësisht edhe të kërkojnë llogari për kushtet dhe shërbimet që ofrohen.

Deri më tani, Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e bëra nga qytetarja.

Lini një përgjigje