Kreu i Komisionit të Gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Kollina, ka folur për risitë teknologjike të përdorura në Kupën e Botës, duke analizuar në veçanti momentin e diskutuar nga ndeshja mes Portugalisë dhe Kroacisë.
Legjenda italiane e arbitrimit sqaroi se teknologjia e avancuar ka konfirmuar se topi ka prekur kokën e sulmuesit kroat Igor Matanoviq, dhe jo flokët e tij.
“Grafiku ishte shumë i qartë. Shihet një ndryshim në momentin kur topi prek kokën e sulmuesit kroat, më pas një vijë e drejtë dhe një tjetër ndryshim kur topi prek shpinën e mbrojtësit portugez”, deklaroi Kollina për La Gazzetta dello Sport.
Ai shpjegoi se sensorët e vendosur brenda topit nuk regjistrojnë kontaktin me flokët, prandaj ndryshimi i evidentuar në të dhëna ishte rezultat i goditjes në kokën e lojtarit.
Kollina theksoi se teknologjia nuk duhet të shihet si armike e emocioneve të futbollit, por si një mjet që ndihmon gjyqtarët të marrin vendime më të sakta.
“Ne kishim dy mundësi: të krijonim një komunitet amishësh ku teknologjia është e ndaluar, ose t’ua japim të njëjtën mundësi edhe gjyqtarëve”, tha ai duke iu referuar modernizimit të futbollit.
Sipas tij, FIFA investon miliona në këto sisteme, por synimi është që gjyqtarët të përdorin teknologjinë sa më pak dhe të mbështeten në autoritetin dhe përvojën e tyre.
“Është shumë më e drejtë që emocionet të bazohen në një vendim të saktë, sesa në një situatë që do të diskutohej për javë apo dekada”, përfundoi Kollina.




