Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ka publikuar një mesazh emocionues në profilin e tij zyrtar në Instagram, duke falënderuar bashkëlojtarët, stafin teknik dhe të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar për kombëtaren argjentinase.
Messi ka thënë se pjesa më e bukur e këtij rrugëtimi nuk kanë qenë vetëm trofetë e fituar, por edhe përditshmëria e skuadrës, përballimi i momenteve të vështira dhe gëzimi i çdo hapi të përbashkët.
Ai falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar që Argjentina të funksionojë si një familje, ndërsa dërgoi një mesazh që emocionoi shumë tifozë.
“Çfarëdo që të ndodhë nesër, kjo skuadër tashmë ka shkruar një histori që nuk do ta harrojmë kurrë dhe askush nuk do të mund ta fshijë”, ka shkruar Messi.
Postimin e mbylli me thirrjen e njohur: “Vamos, Argentina.”
Argjentina do të përballet me Spanjën në finale, me synimin për të mbrojtur titullin e fituar në vitin 2022 dhe për t’u bërë kombëtarja e parë pas Brazilit të vitit 1962 që triumfon në dy Botërorë radhazi.
Messi ka qenë sërish një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Në këtë turne ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar katër asistime, ndërsa ka luajtur çdo minutë të ndeshjeve të Argjentinës në fazën eliminatore.
Megjithatë, sfida ndaj Spanjës pritet të jetë testi më i vështirë. Spanja ka pranuar vetëm një gol gjatë gjithë turneut dhe ka arritur në finale falë mbrojtjes së fortë dhe kontrollit të lojës.




