Një nga imazhet më ikonike dhe më emocionale të këtij Botërori ka si protagonist lojtarin më të mirë në histori, Lionel Messin, dhe një gazetar i cili ende nuk po u beson syve për atë që ka përjetuar në fushën e blertë.
Joaquín Bruno, gazetari i mirënjohur i “TyC Sports”, u gjend në qendër të vëmendjes botërore kur Messi, menjëherë pas shënimit të golit të tij të dytë, vrapoi drejt tij për të festuar. Ky moment spontan dhe plot dritë ka lënë pa fjalë vetë gazetarin, i cili ka ndarë emocionet e tij të para të cilat po prekin zemrat e miliona tifozëve.
“PO DRIDHEM. Ky është momenti gazetaresk i jetës sime,” është shprehur Bruno, ende në gjendje shoku nga gjesti i yllit argjentinas.
Një kujtim i përjetshëm në murin e shtëpisë
Për gazetarin argjentinas, kjo fotografi kapërcen kufijtë e profesionit dhe kthehet në një trashëgimi të çmuar familjare. Ai ka treguar se tashmë ka bërë planet që ky çast të mbetet i skalitur përgjithmonë në shtëpinë e tij.
“Madje i kam thënë gruas sime të përgatisë një kornizë të veçantë. Le të kushtojë sa të kushtojë, sepse ajo fotografi duhet të shihet çdo ditë – jo vetëm nga unë, për të kujtuar atë që kam përjetuar, por edhe nga djali im katërvjeçar, i cili është një tifoz i madh i Messit,” ka rrëfyer ai me emocione të forta.
Ky reagim i ngrohtë dhe njerëzor nga ana e golashënuesit më të mirë në historinë e Kupës së Botës rikonfirmon edhe një herë madështinë e tij, jo vetëm si sportist, por edhe si figurë që dhuron momente magjike që do të jetohen e kujtohen gjatë. “Tani është koha të shijoj atë reagim të bukur që ma dhuroi lojtari më i mirë i të gjitha kohërave,” përfundoi Bruno.




