Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka mirëpritur sot në një takim zyrtar atleten e njohur kosovare, Gresa Bakraqi, për t’i shprehur urimet më të përzemërta për rezultatet e shkëlqyera që ka korrur së fundmi në garat prestigjioze evropiane.
Gresa Bakraqi po dëshmon vazhdimisht se mbetet një nga figurat më të spikatura dhe më të qëndrueshme të atletikës në Kosovë. Paraqitjet e saj të fundit kanë bërë që flamuri i Kosovës të ngrihet lart në disa nga qendrat kryesore të sportit europian, duke kulmuar me suksese të njëpasnjëshme.
Në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim, të mbajtur në Monako, ajo arriti të fitojë medaljen e argjendtë. Ky sukses u pasua nga një tjetër performancë brilante në Kampionatin Ballkanik në Volos të Greqisë, ku atletja kosovare u stolis me dy medalje të tjera të argjendta, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për sportin e vendit.
Gjatë takimit, ministri Gashani vlerësoi lart përkushtimin, disiplinën dhe punën e palodhshme të atletes, duke theksuar se performanca e saj po e prezanton Kosovën me dinjitet të lartë në arenën ndërkombëtare dhe po shërben si një frymëzim i madh për gjeneratat e reja të sportistëve në vend.






