Sulmuesi norvegjez Erling Haaland thuhet se ka luajtur i prekur nga një virozë në çerekfinalen e Kupës së Botës kundër Anglisë, ku Norvegjia u eliminua pas humbjes 2:1 në vazhdime.
Lajmin e bëri të ditur ish-sulmuesi i Chelseat, Tony Cascarino, i cili tha se gjatë pushimit mes pjesëve kishte marrë informacion nga një burim i besueshëm se Haaland ishte përballur me një virozë para ndeshjes dhe kishte zbritur në fushë pavarësisht gjendjes shëndetësore.
“Fizikisht nuk dukej mirë. U zëvendësua pa qenë i lënduar. Besoj se ajo që dëgjova ishte e vërtetë. Ai ishte i sëmurë”, deklaroi Cascarino për TalkSport.
Haaland zhvilloi një nga paraqitjet më të dobëta të tij në këtë Botëror. Ai pati shumë pak kontakte me topin dhe u neutralizua pothuajse plotësisht nga mbrojtësit anglezë Marc Guehi dhe John Stones.
Katër ditë para ndeshjes ishte raportuar se një virozë kishte prekur kampin e kombëtares norvegjeze, por në atë kohë nuk ishte bërë e ditur se cilët futbollistë ishin prekur.
Sipas raportimeve të fundit, mes lojtarëve të prekur ishte edhe Haaland, i cili nuk arriti ta udhëhiqte Norvegjinë drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës.
Sulmuesi qëndroi në fushë deri në fund të pjesës së parë të vazhdimeve, kur trajneri Ståle Solbakken vendosi ta zëvendësojë.




