Ballina > Sport > Jannik Sinner mbron titullin në Wimbledon, mposht Zverevin pas një finaleje spektakolare

Jannik Sinner mbron titullin në Wimbledon, mposht Zverevin pas një finaleje spektakolare

12 Jul 2026 Sport

Tenisti numër një në botë, Jannik Sinner, ka triumfuar sërish në Wimbledon, duke mbrojtur titullin e fituar një vit më parë.

Tenisti italian mposhti në finale gjermanin Alexander Zverev me rezultatin 3:1 në sete, pas një përballjeje dramatike që zgjati gati katër orë. Rezultati sipas seteve ishte: 6:7, 7:6, 6:3 dhe 6:4.

Për Sinnerin kjo ishte titulli i pestë Grand Slam në karrierë, ndërsa triumfi erdhi pas një beteje të madhe, pasi Zverev i shkaktoi shumë vështirësi dhe fitoi setin e parë në “tie-break”.

Finalja nisi e barabartë, me të dy tenistët që ruajtën me siguri shërbimet e tyre. Zverev ishte më i saktë në momentet vendimtare të setit të parë dhe arriti të kalojë në epërsi.

Megjithatë, Sinner reagoi në setin e dytë, duke fituar “tie-break”-un dhe duke barazuar rezultatin. Në dy setet e fundit, italiani tregoi forcën dhe qëndrueshmërinë e tij, duke shfrytëzuar momentet kyçe për të marrë kontrollin e ndeshjes.

Me këtë fitore, Sinner vazhdoi dominimin ndaj Zverevit, duke regjistruar fitoren e nëntë radhazi në përballjet direkte mes tyre.

Triumfi në Londër konfirmon edhe një herë statusin e Sinnerit si lider i tenisit botëror dhe një nga lojtarët më dominues të gjeneratës së re.

Lini një përgjigje