Sportet malore dhe promovimi i jetës aktive po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në agjendën e turizmit sportiv në Kosovë, temë kjo që ishte në qendër të takimit që Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, zhvilloi me përfaqësuesit e Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve “Gjeravica” nga Peja, të udhëhequr nga Raif Gjikolli.
Gjatë kësaj bisede u diskutua gjerësisht për kontributin që kjo shoqatë jep në edukimin e qytetarëve për sportet malore dhe jetën në natyrë, duke vënë një theks të veçantë te organizimi i “Peja Outdoor Festival” që pritet të mbahet gjatë muajit qershor. Ky festival po shndërrohet në një pikë referimi për promovimin ndërkombëtar të Pejës dhe Kosovës si destinacione kryesore të turizmit aktiv.
Ministri Gashani vlerësoi lart traditën e gjatë të shoqatës “Gjeravica” dhe përkushtimin e tyre për t’i ofruar shumë prej aktiviteteve pa pagesë, gjë që krijon mundësi të shkëlqyera për përfshirjen masive të të rinjve në aktivitete sportive dhe rekreative.
Ai theksoi se iniciativa të tilla janë tejet të rëndësishme për krijimin e shprehive të shëndetshme te qytetarët përmes kontaktit me natyrën dhe masivizimin e sporteve malore në rajonin e Pejës. Ky takim rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore dhe organizatave lokale për zhvillimin e mëtutjeshëm të potencialit turistik dhe sportiv të bjeshkëve të Kosovës.




