Ballina > Sport > FFK në Kongresin jubilar të UEFA-s: Agim Ademi dhe Bakir Burri pjesë e vendimmarrjes së futbollit evropian në Bruksel

FFK në Kongresin jubilar të UEFA-s: Agim Ademi dhe Bakir Burri pjesë e vendimmarrjes së futbollit evropian në Bruksel

12 Feb 2026 Sport

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin e parë Bakir Burri dhe sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Markus Weidner, kanë marrë pjesë në Kongresin e 50-të jubilar të UEFA-s, i cili është mbajtur në Bruksel.

Ky kongres, që përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e futbollit evropian, ka mbledhur përfaqësuesit e të gjitha federatave anëtare të UEFA-s, me qëllim diskutimin e çështjeve kyçe që lidhen me zhvillimin, organizimin dhe menaxhimin e futbollit në nivel kontinental.

Gjatë punimeve të Kongresit janë miratuar një sërë vendimesh strategjike dhe administrative me rëndësi të veçantë për të ardhmen e futbollit evropian. Në mesin e tyre përfshihen ndryshimet në statutin e UEFA-s, shqyrtimi dhe miratimi i raportit financiar, si dhe aprovimi i buxhetit për vitin 2026.

Po ashtu, pjesë e agjendës ka qenë edhe konfirmimi i përbërjes së Komiteteve të UEFA-s, të cilat luajnë një rol thelbësor në proceset vendimmarrëse dhe në drejtimin e politikave zhvillimore të futbollit evropian.

Pjesëmarrja e presidentit Agim Ademi dhe nënkryetarit të parë Bakir Burri, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Markus Weidner, dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm dhe rolin aktiv të Federatës së Futbollit të Kosovës në familjen e futbollit evropian, si dhe për përkushtimin e saj në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Lini një përgjigje