Arber Elshani ka dhënë lajmin e shumëpritur për tifozët e Klubit Basketbollistik Peja, duke konfirmuar rikthimin e tij në klub në një rol të rëndësishëm drejtues.
Përmes një njoftimi publik, Elshani ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën e presidentit të klubit, Fatmir Gashi, për t’u rikthyer në KB Peja si Drejtor Sportiv i përkohshëm deri në muajin qershor.
Ai ka theksuar se ky vendim vjen si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për presidentin Gashi, të cilit, siç shprehet, i ka shumë borxh për arritje të rëndësishme në jetën e tij profesionale.
“Fatmir Gashit i kam shumë borxh për shumë arritje në jetën time, prandaj e kam pranuar këtë sfidë të madhe në këto momente të vështira për klubin”, ka deklaruar Elshani.
Duke iu drejtuar tifozëve dhe qytetit të Pejës, ai ka garantuar angazhim maksimal në këtë periudhë vendimtare për klubin.
“Ju garantoj që deri në qershor do të jap gjithçka që posedoj në veten time për klubin dhe për qytetin”, ka shkruar ai, duke falënderuar tifozët për mbështetjen dhe respektin e vazhdueshëm ndaj KB Peja, që e ka quajtur “klubin më të mirë në botë”.
Rikthimi i Arber Elshanit pritet të sjellë stabilitet dhe energji të re në klub, në një fazë të rëndësishme të sezonit për ekipin verdhezi.




