Ballina > Sport > Ragip Xhaka “mbush bateritë” me FC Dardaninë në Turqi, synim i qartë ngjitja në Ligën e Tretë të Zvicrës

Ragip Xhaka “mbush bateritë” me FC Dardaninë në Turqi, synim i qartë ngjitja në Ligën e Tretë të Zvicrës

13 Feb 2026 Sport

Ragip Xhaka, babai i futbollistit Granit Xhaka dhe drejtues i klubit shqiptar FC “Dardania” në Basel, ka bërë të ditur se skuadra e tij ndodhet në Turqi për fazën përgatitore para nisjes së sezonit pranveror.

FC “Dardania”, që garon në ligat e Zvicrës, ka udhëtuar së bashku me lojtarët dhe stafin teknik drejt pjesës bregdetare të Larës në Turqi, ku po zhvillon përgatitje intensive me synimin për të hyrë sa më e përgatitur në gjysmën vendimtare të sezonit.

Objektivi i klubit për këtë edicion është i qartë: inkuadrimi në Ligën e Tretë të Zvicrës. Drejtuesit e klubit theksojnë se me organizim serioz, punë të palodhshme dhe përkushtim maksimal, skuadra po ndërton bazat për arritjen e këtij synimi ambicioz.

Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim pritet ta ketë edhe trajneri i FC “Dardania”, ish-reprezentuesi shqiptar Taulant Xhaka, i cili me përvojën dhe autoritetin e tij po konsiderohet një shtysë e madhe drejt suksesit të skuadrës.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Ragip Xhaka përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar:
“Në Lara të Turqisë me FC Dardaninë, duke punuar fort për gjysmësesonin që na pret. Objektivi i qartë: Liga e Tretë e Zvicrës. Hap pas hapi, me besim dhe sakrificë”, duke e shoqëruar postimin edhe me një fotografi nga Turqia.

FC “Dardania” vazhdon kështu përgatitjet me optimizëm dhe besim se puna e bërë në këtë fazë do të reflektohet pozitivisht në rezultatet e sezonit pranveror.

Lini një përgjigje