Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga ETC dhe Elkos Group, të udhëhequr nga biznesmeni Ramiz Kelmendi, i cili ka dhuruar një automjet të ri FIAT Scudo 2.0 Professional, model i vitit 2025.
Automjeti, i cili do të përdoret për transportin e të ndjerëve, është dedikuar për përmirësimin e shërbimeve mortore, me qëllim që familjeve t’u ofrohet një shërbim më dinjitoz, profesional dhe me më shumë kujdes në momentet më të vështira.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, mulla Musli Arifaj, falënderoi Ramiz Kelmendin për këtë donacion, duke vlerësuar kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të institucionit dhe komunitetit.
Sipas KBI-së në Pejë, Kelmendi ka qenë ndër mbështetësit e vazhdueshëm të aktiviteteve të këshillit, ndërsa veprimet e tij humanitare janë dëshmuar ndër vite përmes ndihmave konkrete në shërbim të qytetarëve.
Nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë u theksua se ky donacion do të jetë në funksion të komunitetit për shumë vite dhe do të lehtësojë ofrimin e shërbimeve mortore për familjet që përballen me humbjen e më të dashurve të tyre.





