Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, u ka bërë thirrje liderëve të partive kryesore politike në Kosovë që të ndërtojnë unitet politik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, me qëllim të shmangies së krizave institucionale dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Në një postim publik, Bajrami iu drejtua kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarëve të partive opozitare Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, duke theksuar nevojën për përgjegjësi shtetërore dhe tejkalim të dallimeve partiake në këtë moment të ndjeshëm për vendin.
Ai vlerësoi se Kosova përballet me sfida serioze gjeopolitike, të sigurisë dhe institucionale, të cilat kërkojnë maturi, stabilitet dhe funksionim të qëndrueshëm kushtetues. Sipas tij, roli i Presidentit duhet të mbetet mbi-partiak dhe unifikues, në shërbim të interesit të përgjithshëm shtetëror.
Duke u thirrur në përvojën e tij shumëvjeçare në proceset kyçe të shtetndërtimit – nga rezistenca institucionale, hartimi i akteve themelore kushtetuese, negociatat ndërkombëtare në Rambuje dhe Vjenë, deri te kontributi gjatë luftës çlirimtare – Bajrami shprehu gatishmërinë për të qenë një nga kandidatët konsensualë për President të Republikës së Kosovës.
Ai theksoi se i plotëson kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë që synon forcimin e rendit kushtetues, stabilitetin institucional dhe përmbylljen e procesit të shtetndërtimit, në funksion të perspektivës evropiane të vendit.
Në të njëjtën kohë, Bajrami vlerësoi lartë qëndrimin e Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, sipas tij, dëshmuan përgjegjësi të lartë kombëtare dhe respekt për sakrificën historike të familjes heroike.
Në përfundim, Bajrami riafirmoi angazhimin e tij institucional, akademik dhe publik për mbrojtjen e karakterit çlirimtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje për, siç tha ai, rishikim selektiv apo diskriminues të historisë.




