Kryeqyteti i Kosovës ka shënuar një hap të rëndësishëm institucional me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit, një iniciativë që synon rregullimin dhe zhvillimin e kësaj hapësire si pronë e përbashkët qytetare.
Ky proces ka ardhur si rezultat i disa muajve pune të strukturuar dhe koordinimi të vazhdueshëm ndërmjet Prishtina dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare, me qëllim krijimin e një modeli të ri, të barabartë dhe funksional për shërbimet e varrimit.
Deklarata u nënshkrua nga përfaqësuesit kryesorë fetarë në Kryeqytet: Hetem Sopjani, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Agim Qerkini, famullitar i Famullisë së Prishtinës, si dhe Pastor Driton Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.
Ky dokument përfaqëson një moment historik bashkëpunimi dhe pajtimi institucional, duke reflektuar vullnetin e përbashkët për ndërtimin e një modeli që garanton:
• funksionimin e varrezave si hapësirë publike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Prishtinës, pa asnjë dallim;
• respektimin e plotë të riteve dhe praktikave fetare sipas traditave përkatëse;
• administrim profesional, institucional dhe në përputhje me standardet e dinjitetit dhe respektit publik.
Procesi deri në këtë fazë është karakterizuar nga dialog i hapur, bashkëpunim konstruktiv dhe mirëkuptim reciprok ndërmjet Kryeqytetit dhe komuniteteve fetare, duke dëshmuar frymën e bashkëjetesës, respektit dhe harmonisë që e karakterizon Prishtinën.
Ky projekt përforcon angazhimin e institucioneve të Kryeqytetit për ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në shërbim të dinjitetit njerëzor dhe interesit publik.




