Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 17-të të Festivalit Ndërkombëtar të Domates në Mamushë.
Në fjalimin e saj, Haxhiu theksoi rëndësinë e bujqësisë si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit, duke vlerësuar punën e fermerëve, familjeve të tyre, grave dhe të rinjve që kanë kontribuar në zhvillimin e sektorit dhe në afirmimin e Mamushës për cilësinë e prodhimeve bujqësore.
Ajo u shpreh se festivali shërben si urë lidhëse mes prodhuesve, bizneseve dhe qytetarëve, duke promovuar bujqësinë dhe potencialin e Kosovës. Haxhiu u uroi fermerëve një sezon të suksesshëm, me prodhim të mbarë dhe treg të sigurt, duke shprehur besimin se domatja e Mamushës do të zgjerojë praninë e saj në tregje dhe do të vazhdojë të promovojë traditën e kësaj komune.




