Sot, më 24 korrik, 80-vjetorin e lindjes e shënon një nga figurat më të respektuara të arsimit dhe jetës publike në Pejë, profesoresha universitare Mehrije Çavolli Hoti.
E lindur më 24 korrik 1946 në Prizren, ajo rrjedh nga familja e patriotit të njohur Gjemë Kelmendi, bashkëluftëtar i Haxhi Zekës dhe komandant ushtarak. Familja e saj ishte vendosur për një periudhë në Prizren, ku kujdesej për ta daja i saj, Ramiz Kelmendi, i njohur në Pejë si Ramiz Gjema Kelmendi. Kur Mehrija ishte gjashtë vjeçe, familja u kthye në Pejë, qytet ku ajo do të ndërtonte rrugëtimin e saj jetësor dhe profesional.
Shkollimin fillor dhe të mesëm ekonomik e kreu në Pejë, ndërsa Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës e përfundoi në vitin 1970.
Karrierën e nisi në Entin e Statistikave, ndërsa nga viti 1972 punoi si profesoreshë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Pejë. Tre vjet më vonë filloi ligjërimin në Shkollën e Lartë Ekonomike Komerciale, duke u bërë një nga profesoreshat e para shqiptare, së bashku me profesoreshën Drita Shoshi, të angazhuara në këtë institucion të arsimit të lartë.
Paralelisht me punën, ajo vazhdoi studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit dhe specializimet në Beograd e Tetovë, duke ndërtuar një profil të spikatur akademik.
Gjatë viteve të okupimit, kur arsimi shqip zhvillohej në kushte të jashtëzakonshme, profesoresha Mehrije ishte ndër pedagogët që vazhduan misionin e tyre në objekte alternative, si shtëpia e profesor Mustafë Malokut, lokalet e Bashkësisë Islame, Kishës Katolike dhe Shkollës Fillore “8 Marsi”.
Ajo ishte gjithashtu e angazhuar në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve dhe përjetoi persekutim nga regjimi i atëhershëm serb për shkak të aktivitetit të saj.
Pas luftës në Kosovë, punoi për një periudhë në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, ndërsa me themelimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, vazhdoi kontributin e saj si profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara deri në pensionimin në vitin 2013.
Përgjatë karrierës së saj shumëvjeçare, ka marrë pjesë në konferenca dhe tubime shkencore në Kosovë, rajon dhe më gjerë, duke botuar një numër të konsiderueshëm studimesh dhe veprash universitare.
Në jetën familjare, në vitin 1968 u martua me ekonomistin Nevzat Hoti, të njohur në Pejë si Çun Hoti. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Berati, Arta dhe Hana, të cilët sot jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Pas ndarjes së hershme nga jeta të bashkëshortit të saj në vitin 1993, profesoresha Mehrije mbeti e vetme në përballjen me sfidat e jetës. Si nënë vetushqyese, ajo u përkushtua me vendosmëri në rritjen, edukimin dhe arsimimin e tre fëmijëve të saj, duke dëshmuar forcë, dinjitet dhe këmbëngulje.
Në jubileun e saj të 80-vjetorit, Prof. Mehrije Çavolli Hoti mbetet një shembull i përkushtimit ndaj arsimit, dijes dhe familjes, si dhe një prej grave që me punën dhe sakrificën e saj ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Pejës dhe të arsimit në Kosovë.




