Me vendim të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, Diellëza Berisha është riemëruar Drejtoreshë për Buxhet dhe Financa, duke vazhduar drejtimin e njërit prej sektorëve kyç të administratës komunale.
Berisha ka theksuar se besimi i dhënë nuk përfaqëson thjesht një titull apo emërim formal, por një përgjegjësi të shtuar institucionale dhe qytetare. Sipas saj, ky rol është mbi të gjitha obligim për punë të ndershme, përkushtim profesional dhe shërbim në interes të qytetarëve të Pejës.
Ajo ka bërë të ditur se puna e nisur do të vazhdojë edhe në mandatin e ri, kësaj here me më shumë përvojë, përgjegjësi dhe vendosmëri, me fokus në forcimin e menaxhimit financiar dhe marrjen e vendimeve në funksion të zhvillimit lokal.
“Peja ka nevojë për menaxhim të ndershëm, vendime të guximshme dhe financa në shërbim të qytetarëve”, ka theksuar Berisha, duke shtuar se këtë përgjegjësi do ta mbajë me dinjitet dhe do ta shndërrojë në veprim konkret të përditshëm për qytetin dhe secilin qytetar.
Riemërimi i saj vlerësohet si një hap drejt vazhdimësisë institucionale dhe stabilitetit në menaxhimin financiar të Komunës së Pejës.




