Ballina > Rajoni > Zjarri në Ulqin dëmton linjën elektrike: Probleme me furnizimin me ujë

Zjarri në Ulqin dëmton linjën elektrike: Probleme me furnizimin me ujë

14 Aug 2026 Rajoni

Banorët e disa pjesëve të Ulqinit po përballen me probleme në furnizimin me ujë, si pasojë e dëmtimit të një linje të tensionit të lartë që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave në Lisna Borë.

Sipas njoftimit të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Ulqin, dëmtimi ka ardhur si pasojë e zjarrit që përfshiu territorin e komunës gjatë ditës së djeshme dhe që ende është aktiv në disa zona.

Për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, pompat në këtë stacion kanë ndaluar së funksionuari, duke shkaktuar çrregullime në furnizimin me ujë në pjesët më të ulëta të qytetit, si dhe në zonën e Anës së Malit.

Ekipet e CEDIS-it dhe të Ujësjellësit ndodhen në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e furnizimit me ujë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Nga ndërmarrja kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në përfundimin e punimeve.

Lini një përgjigje