Ballina > Bota > Zjarret kërcënojnë Athinën: Urdhërohen evakuime të reja, erërat e forta pengojnë avionët zjarrfikës

Zjarret kërcënojnë Athinën: Urdhërohen evakuime të reja, erërat e forta pengojnë avionët zjarrfikës

02 Aug 2026 Bota

Kriza e shkaktuar nga zjarret pyjore këtë fundjavë ka përfshirë disa vende të Evropës, ndërsa situata më e rëndë paraqitet aktualisht në Greqi, ku erërat e forta po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve dhe po përhapin flakët drejt zonave të banuara dhe industriale.

Autoritetet greke kanë urdhëruar evakuimin e tri komuniteteve të tjera – Kandili, Agia Skepia dhe Toutouli, ndërsa zjarri po përparon nëpër pyjet e thata në perëndim të Athinës.

Në terren janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës dhe 23 avionë, por erërat e fuqishme po pengojnë ndërhyrjet nga ajri, përfshirë marrjen e ujit nga deti. Më shumë se 260 persona janë evakuuar përmes detit nga zonat bregdetare, pasi zjarri dhe tymi kanë bllokuar rrugët e qasjes.

Zjarri shpërtheu pranë Agios Vasileios dhe më pas u përhap drejt Porto Germenos dhe maleve të pyllëzuara në perëndim të Athinës.

“Pyjet e paprekura, një parajsë e vërtetë, iu dorëzuan flakëve. Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që ka ndodhur. Shkatërrim total”, tha fermeri lokal Minas Tzortzanis.

Zjarret kanë rikthyer kujtimet e dhimbshme në Greqi për vitin 2018, kur një zjarr në zonën bregdetare të Matit shkaktoi 104 viktima.

Ndërkohë, zjarri i madh pyjor në Francë është vënë nën kontroll, pasi rreth 224 mijë persona u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Edhe në Francë dhe Spanjë, zjarret kanë detyruar qindra mijëra njerëz të evakuohen nga shtëpitë dhe zonat turistike gjatë sezonit veror.

Evropa po përballet me një valë të rëndë zjarresh pyjore, ndërsa temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta po e vështirësojnë ndjeshëm punën e zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente.

Lini një përgjigje