Ballina > Kronikë > Vdes inxhinieri pejan Rexhep (Manik) Begolli, një prej emrave të njohur të industrisë metalpërpunuese

Vdes inxhinieri pejan Rexhep (Manik) Begolli, një prej emrave të njohur të industrisë metalpërpunuese

22 Jul 2026 Kronikë

Është ndarë nga jeta inxhinieri pejan Rexhep (Manik) Begolli, një prej profesionistëve që për dekada dha kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë metalpërpunuese në Kosovë.

Begolli, i lindur në vitin 1948, ishte ish-drejtor i disa prej fabrikave të njohura industriale dhe njihej si një inxhinier me përvojë e përkushtim, duke lënë gjurmë në zhvillimin e sektorit industrial dhe në edukimin profesional të shumë bashkëpunëtorëve.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur familja përmes një njoftimi publik.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, të afërmit dhe miqtë se sot u nda nga jeta babai, burri dhe gjyshi ynë i dashur, Rexhep (Manik) Begolli (1948–2026). Luftove deri në fund me forcë e dinjitet. Shpirti yt u prehtë në parajsë. Do të na mungosh përherë.”

Ndarja e tij nga jeta përbën humbje jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin profesional dhe industrial, ku ai gëzonte respekt për kontributin dhe përvojën e tij shumëvjeçare.

Familja ka bërë të ditur se për datën, orën dhe vendin e ceremonisë së varrimit do të njoftojë në një moment tjetër.

Redaksia e INKLIK Media i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Begolli, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.

Lini një përgjigje