UEFA ka bërë dy ndryshime të rëndësishme në rregulloret e saj para fillimit të sezonit të ri. Ndryshimet prekin drejtpërdrejt të gjitha klubet që garojnë në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Ndryshimi i parë lidhet me kartonët e verdhë. UEFA ka vendosur të rrisë pragun për pezullimin e parë. Kështu, në fazën e ligës, futbollistëve do t’u nevojiten katër, në vend të tre kartonëve të verdhë si deri tani, për të vuajtur një ndeshje pezullim. Çdo pezullim i radhës do të vijë pas dy kartonëve të rinj, pra pas të gjashtit, të tetit e kështu me radhë.

Ndryshimi i dytë ka të bëjë me tabelat elektronike në stadiume. Është hequr rregulli i vjetër sipas të cilit kronometri duhej të ndalej në minutën e 45-të dhe të 90-të. Nga ky sezon, koha në semafor do të vazhdojë të ecë edhe gjatë kohës shtesë të akorduar nga gjyqtari, si dhe gjatë vazhdimeve.
Me këtë vendim, UEFA është përshtatur me praktikën që në Premier League angleze zbatohet prej dy vitesh.
Këto ndryshime vijnë në një periudhë tensionesh mes UEFA-s dhe FIFA-s. Së fundmi, të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar unanimisht për tërheqjen nga garat e FIFA-s.
Shkak për këtë janë bërë planet e diskutueshme të organizatës botërore të futbollit për shitjen e të drejtave komerciale dhe menaxheriale te investitorët privatë. UEFA i ka cilësuar këto plane si akt presioni dhe ka kërkuar ndërprerjen e plotë të tyre.




