Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur përmes platformës së tij “Truth Social” se, në kuadër të negociatave për përfundimin e konfliktit me Iranin, do të kërkojë që një numër vendesh të Lindjes së Mesme t’u bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit dhe të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.
Trump ka deklaruar se pret që si “minimum” këtij procesi t’i bashkohen Arabia Saudite, Katari, Pakistani, Turqia, Egjipti dhe Jordania, ndërsa ka përmendur gjithashtu Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat tashmë i kanë nënshkruar marrëveshjet në vitin 2020.
Sipas tij, disa vende mund të kenë arsye për të mos u bashkuar, por shumica duhet të jenë të gatshme që marrëveshja me Iranin të marrë një dimension historik.
Ai ka vlerësuar Marrëveshjet e Abrahamit si një “vendim të shkëlqyer” për vendet që i kanë nënshkruar, duke theksuar se ato kanë sjellë përfitime dhe stabilitet, dhe sipas tij do të kenë edhe më shumë ndikim në të ardhmen.
Trump ka shtuar se Arabia Saudite dhe Katari pritet të jenë ndër vendet e para që do t’i bashkohen këtij procesi, ndërsa ka paralajmëruar se refuzimi për nënshkrim mund të shihet si “mungesë vullneti të mirë”.
Ai gjithashtu ka sugjeruar se edhe Irani mund të bëhet pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit, duke e quajtur këtë një “nder” për Teheranin.
Në fund të deklaratës së tij, Trump ka theksuar se synon që përmes këtij procesi Lindja e Mesme të bëhet një rajon i bashkuar, i fuqishëm dhe ekonomikisht i zhvilluar, duke kërkuar nga administrata e tij që të fillojë dhe përmbyllë me sukses zgjerimin e marrëveshjeve ekzistuese.




